TIRANË, 20 nëntor /ATSH/ Në konferencën e organizuar nga Qendra e Inovacionit të Sigurisë dhe Mbrojtjes, ku mori pjesë Zv. ministri Dorian Tola dhe ekspertë e përfaqësues të ndryshëm, u diskutua mbi mundësitë që kjo qendër ofron për sipërmarrjen shqiptare.
Siç njofton ministria e Mbrojtjes, në fokus ishte mbështetja përmes iniciativave të NATO-s në fushën e teknologjisë dhe sigurisë, si dhe perspektivat për zhvillimin e Industrisë Ushtarake në Shqipëri.
Paneli i parë i drejtuar nga drejtuesi i Qendrës së Inovacionit të Sigurisë dhe Mbrojtjes, Lorenc Çala, u përqendrua te mbështetja që Qendra ofron për sipërmarrjet, nga aspekti teknologjik dhe ligjor, duke hapur horizonte të reja për pjesëmarrjen në tregun e sigurisë dhe mbrojtjes.
Paneli i dytë u fokusua te nismat për rivitalizimin e Industrisë Ushtarake, ku u prezantuan potencialet dhe mundësitë që kjo industri sjell për zhvillimin ekonomik dhe inovacionin.
