TIRANË, 15 nëntor/ATSH/ Fshati turistik i Dardhës ofron një natyrë mbresëlënëse, sidomos në ditët me borë. Në ditë të tilla, Dardha duket si e pikturuar.
Kryeministri Edi Rama përcolli foto të Dardhës, teksa bora ka shtruar në mesin e këtij nëntori.
“Nëntor Dardhe”, shkruan Rama.
Vetëm 18 km në juglindje të Korçës, Dardha vizitohet veçanërisht në stinën e dimrit nga qindra turistë vendas e të huaj. Prej disa vitesh ky fshat turistik ofron për vizitorët edhe pistën e skive, për zhvillimin e sporteve dimërore.
Dardha njihet për trashëgiminë e pasur kulturore, për kostumet karakteristike, për këngët e vallet. Krejt kjo pasuri përmblidhet, në muzeun e pasur e të ruajtur mirë të fshatit.
Por, atje gjen një shkollë mbi 300 vjeçare, shtëpi të ngritura shekuj më parë që ende mbahen hijerënda, çesma me ujë të kristaltë në çdo rrugë, rrugë të shtruara me kalldrëm, kisha të lashta, pemë shekullore e shtigje, histori dhe përralla që tregohen rrotull zjarrit. /j.p/
