TIRANË, 11 nëntor /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha e ka cilësuar buxhetin e vitit të ardhshëm si antiqytetar.
Nga ballkoni i shtëpisë, në fjalimin e përnatshëm para mbështetësve të tij, Berisha tha se buxheti jep vetëm 16 milionë euro për rreth 800 mijë pensionistë.
“Dhe me 8.2 miliardë euro kanë zemër dhe shpirt këta të pashpirt dhe të pazemër t’u thonë 800 mijë pensionistëve se nuk do ua rrisim pensionet, por do u bëjmë një bonus që nga marsi në tetor ua vodhëm për t’ua dhënë dhe për t’u gëzuar ju në dhjetor”- tha Berisha.
Berisha u ndal edhe tek takimi i kryeministrit Edi Rama me shqiptarët në SHBA, duke ngritur pyetjen se kush i mbuloi shpenzimet.
“Kush i pagoi ato bileta, a dini gjë? M’i paguan, thotë. Cili investitor strategjik t’i pagoi ty? Si mund të të paguajnë ty në një kohë kur ligji shqiptar nuk të lejon kurrë dhuratën mbi 200 euro?”- tha Berisha.
Berisha po ashtu tha gjatë fjalës së tij se Rama ka shpenzuar 500 mijë euro për një ekspozitë në Hong-Kong.
Në fund të fjalës së tij, Berisha ftoi qytetarët që në ditën e votimit të buxhetit të protestojnë para parlamentit. /j.p/
