Agjencia Telegrafike Shqiptare

Elbasan, Çako: Fondet për mbrojtjen civile, investim për parandalimin e fatkeqësive

Turi informues për Mbrojtjen Civile vazhdon në Elbasan

TIRANË, 7 nëntor /ATSH/ Në kuadër të turit informues për Mbrojtjen Civile, Qarku i Elbasanit ishte ndalesa e radhës.

Takimi përfshiu prefektin e qarkut, Ali Mysliu, kryetarët e bashkive, si dhe ekipet e emergjencave dhe financës, ku u diskutuan masat për përballimin e rreziqeve si rrëshqitjet e tokës, ortekët dhe çarjet e digave.

Drejtori i përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile (AKMC), Haki Çako, theksoi rëndësinë e përgatitjes së projekteve konkrete që përmirësojnë infrastrukturën dhe rrisin sigurinë e qytetarëve. Ai nënvizoi se veprimet e sotme përbëjnë një investim të rëndësishëm për parandalimin e fatkeqësive në të ardhmen.

Drejtori i përgjithshëm i AKMC theksoi se, kjo thirrje është një mundësi e rëndësishme për bashkitë e qarkut që të parandalojnë fatkeqësitë përmes investimeve të nevojshme.

Aplikimi për fondin e Mbrojtjes Civile është i hapur deri më 25 nëntor në faqen zyrtare të Ministrisë së Mbrojtjes.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Exit mobile version