Agjencia Telegrafike Shqiptare

Malaj: Të ardhurat buxhetore 754.6 miliardë lekë në 2025-ën

TIRANË, 30 tetor/ATSH/ Ministri i Financave, Petrit Malaj deklaroi sot se të ardhurat buxhetore për vitin 2025 parashikohen në masën 754.6 miliardë lekë, ose 28.8% e PBB.

Gjatë prezantimit të projektbuxhetit në Konferencën e Kryetarëve, në Kuvend, Malaj tha se krahasuar me planin e rishikuar për vitin 2024, të ardhurat buxhetore për vitin 2025 parashikohen me rreth 40.6 miliardë lekë më shumë.

Sipas tij, të ardhurat tatimore 2025 në raport me PBB-në, krahasuar kjo me vitin 2024, parashikohen të rriten nga 26.3% e PBB-së, në 27.1% e PBB-së, ose 0.8% më shumë.

“Ky programim i të ardhurave tatimore mbështet objektivat e Ministrisë së Financave për rritjen e të ardhurave me qëllim mbështetjen e shpenzimeve publike për arsimin, shëndetësinë, mbrojtjen sociale, digjitalizimin e shërbimeve publike, investimeve në infrastrukturë, bujqësi, energji dhe drejtime të tjera të cilat gjenerojnë zhvillim duke rritur konsumin dhe investimet”, tha Malaj.

Të ardhurat tatimore parashikohen të arrijnë në 709.8 miliardë lekë, dhe brenda zërit të të ardhurave tatimore, të ardhurat që mblidhen nga tatimet dhe doganat në 449 miliardë lekë, ndërkohë që të ardhurat nga kontributet për sigurimet shoqërore dhe sigurimet shëndetësore, planifikohen të jenë 168.9 miliardë lekë. Krahasuar me vitin 2024, të ardhurat tatimore rriten me 0.6 % e PBB-së, ose 54 miliardë lekë.

“Burimet kryesore të rritjes janë 15.2 miliardë lekë nga miradministrimi, 14.8 miliardë lekë të ardhurat shtesë nga rritja ekonomike dhe 9.2 miliardë lekë të ardhura shtesë nga efektet e politikave fiskale të ndërmarra vitet e mëparshme, si dhe efektet e politikave buxhetore në fushën e pagave”, deklaroi Malaj.

/r.e/a.f/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Exit mobile version