Agjencia Telegrafike Shqiptare

Bushi: Organizimi i Evropianit U-21, gjëja më e bukur që i ka ndodhur ndonjëherë Shqipërisë

TIRANË, 21 tetor /ATSH/ Trajneri i ekipit kombëtar U-21, Alban Bushi doli sot në një konferencë për mediat ku foli për kualifikueset e Europianit 2025 dhe analizoi skuadrën e tij në këto eliminatore.

“Nuk mund të them që pritshmëritë ishin më të mëdha. Patjetër që ne bëmë mirë këtë edicion. Ishte edicion emocionues dhe ka pasur shumë surpriza. Kundërshtarët ishin shumë të fortë, grupi ka qenë shumë i ekuilibruar dhe e mbyllëm në vendin e katërt. E nisëm mirë me dy fitore në  Armeni dhe me Rumaninë. Pas këtyre fitoreve u rritën më shumë shpresat për kualifikim, por gjithsesi ne e dinim që do të ishte e vështirë. E mbyllëm mirë edicionin me dy fitore, por nuk patëm vazhdimësi gjatë saj . Për t’u kualifikuar duhet të kesh vazhdimësi dhe kjo vjen nga grupi i lojtarëve që ke. Nuk është se kemi pasur një grup të gjerë lojtarësh cilësor. Kemi pasur pak, pjesa tjetër ka qenë plotësuese për ekipin. Ndërsa kundërshtarët si Zvicra apo Rumania janë në nivel të jashtëzakonshëm përsa i përket grupit të lojtarëve, kjo bëri dhe diferencën në fund. Në mes të edicionit na kanë penalizuar shumë gjëra, si largimi i disa lojtarëve te ekipi A dhe dëmtimi i tyre. Cristian Shpendi na ka prishur shumë punë, u dënua tre ndeshje nga kartoni i kuq dhe nuk ishte për ndeshjen me Malin e Zi që na ka ngelur pishman sepse sot do të ishim të dytët”, tha ai.

Tekniku kuqezi e konsideroi sukses grumbullimin e 16 pikëve përgjatë këtij edicioni si edhe kalimin e shumë elementëve nën-21 vjeçarë tek ekipi kombëtar A.

“Kombëtarja A ka gjithmonë prioritet për të marrë çdo lojtarë nga ekipi U-21 dhe kualifikimi jonë shkon nga kjo rrugë. Ekipet e tjera si Zvicra, Finlanda dhe Rumania i marrin lojtarët më të mirë dhe i zbresin poshtë. Kemi rastin e Zvicrës që mori Ardon Jasharin dhe një tjetër për të na mundur ne. Ndërsa te ne funksionon ndryshe pasi Shqipëria është një ekip modest që ka bërë shumë hapa gjigant në futboll vitet e fundit si ekipi A dhe shpresat. Ju e dinit shumë mirë që deri dje vendin e fundit dhe të parafundit e kishim të sigurt dhe pas ndeshjes së tretë humbte çdo shpresë për t’u kualifikuar, ndërsa tashmë janë rritur objektivat dhe kjo falës punës të bërë mirë nga Drejtoria e ekipeve Kombëtare, nga skautët tanë në Evropë dhe të gjithë stafet. Tani kemi pretendime për të mundur ekipe si Zvicra, Rumania dhe Finlanda që është një diferencë shumë e madhe. Ekipi A ka marrë shumë lojtarë nga ne dhe mbase na ka penalizuar. Mund të them rastin në ndeshjen me Malin e Zi që kishim shumë nevojë për lojtarë, pasi nuk kishim të drejtë ndërrimi dhe na u donte shumë Medon Berisha, por ekipi A kishte dy ndeshje miqësore me Suedinë dhe Kilin. Na penalizoi sepse mund të fitonim atë ndeshje dhe e humbëm në minutën e 92-të. Ai tre pikësh ishte determinant për vendin e dytë”, u shpreh Bushi.

Ndër të tjera, trajneri Bushi foli edhe për të ardhmen e tij dhe të ekipit Shpresa, duke nënvizuar se kjo skuadër do të jetë në çdo sezon favorite për t’u kualifikuar.

“Objektivi brenda Federatës nuk ka qenë kualifikimi. Në bisedat me drejtorin kemi thënë që duhet të zëmë vend sa më të mirë dhe të sjellim lojtarë për ekipin A. S’mund të jesh i çmendur dhe të thuash që do dalësh në vend të 1, me ekipe si Zvicra, Finlanda, Rumania. Por kemi bërë mirë, duke dhënë maksimumin në çdo ndeshje. Duke pasur dhe strategjinë tonë. Unë jam i mendimit se një trajner i një ekipi kombëtar nuk duhet vetëm të marrë 3 pikë, por duhet t’i mësojë, sepse ata janë në moshë të re, t’i mësojë të luajnë bukur. Para ndeshjes me Armeninë, por edhe ndeshjet e tjera, u kam thënë djemve që nuk e dua një 3-pikësh me lojë të keqe, sepse nuk na bën punë. Ne jemi ekip kombëtar, duhet të luajmë bukur, t’ia tregojmë publikut këtë, sidomos me kundërshtarë të nivelit tonë. Por edhe me kundërshtarë si Zvicra apo Rumania, duhet t’i bëjmë 5-6 aksione të mira në pjesë të parë dhe 5-6 aksione të mira në pjesë të dytë, sepse nëse nuk bëhen këto, lojtarët nuk rriten, nuk zhvillohen për të shkuar te ekipi A. Unë besoj që të gjithë lojtarët që ka marrë ekipi A,  Berisha, Pajaziti, Fetai, Bajrami, Simoni, besoj se kanë marrë eksperiencë shumë të mirë të U 21-shi. Jemi munduar t’u japim maksimumin ne si staf, që kur të shkojnë te ekipi I parë të luajnë lirshëm, pa frikë dhe emocione, Duket kjo gjë, ata janë lojtarë shumë të mirë, Berisha, Fetai, Pajaziti kanë potencial shumë të madh. Por objektivi kryesor ka qenë sjellja e lojtarëve të ekipi A”, tha Bushi.

Trajneri kuqezi vlerësoi edhe punën e bërë nga Departamenti i Ekipeve Kombëtare dhe Drejtoria Teknike e FSHF-së, ndërsa komentoi me nota shumë pozitive kandidaturën e përbashkët të FSHF me Federatën Serbe për të organizuar kampionatin e U-21 në 2027, duke thënë se Shqipëria përfiton shumë nga ky kampionat.

“Më duket zgjedhje shumë e mirë, sepse është gjëja më e bukur që i ka ndodhur ndonjëherë Shqipërisë, të organizojë kampionatin evropian, nëse vendoset të bëhet. Nuk më intereson me kë bëhet, me Serbinë apo Slloveninë. Më intereson nga ana sportive, është diçka jashtëzakonisht e madhe, siç ishte dhe finalja e Conference League. Nuk i di të gjitha detajet, por është kampionat evropian dhe Shqipëria ka shumë përfitime”, tha ai. /j.p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Exit mobile version