Agjencia Telegrafike Shqiptare

Blushi: Arrestimi i Metës, akt i rëndë kriminal

TIRANË, 21 tetor /ATSH/ Partia e Lirisë reagoi sot, pas arrestimit të kryetarit të kësaj force politike Ilir Metës, ish-president i vendit, me urdhër të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Tedi Blushi, sekretar i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë në një prononcim për mediet, e ka cilësuar si rrëmbim arrestimin e Metës, ndërsa tha se për këtë akt të rëndë kriminal do të jepet përgjigje shembullore.

“Kjo strukturë kriminale terroriste që guxoi të rrëmbente në mes të ditës ish-presidentin, ish-kryeministrin. Nuk e di ku ndodhet Meta tani dhe kjo tregon gjendje skandaloze. Për aktin e rëndë kriminal do të marrin përgjigjen shembullore”, u shpreh Blushi.

Më pas, i pyetur nga gazetarët para Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Tiranës ku shkoi së bashku me avokatin Genc Gjokutaj, Blushi u shpreh se “arrestimi i Metës është një akt i mirëfilltë terrorist nga kryeterroristi Altin Dumani”, të cilin e cilësoi  xhelati i Edi Ramës që ka marrë përsipër misionin për asgjësimin e opozitës, pluralizmit politik dhe demokracisë.

“Ndëshkim pa mëshire nga shqiptarët e ndershëm dhe patriotë”, u shpreh Blushi.

Ish-presidenti Ilir Meta u arrestua pak pas mesditës së sotme ndërsa ende nuk dihen të plota akuzat për të cilat u ndalua nga policia me urdhër të SPAK.

Në qershor të këtij viti, Ilir Meta, u mor në pyetje për më shumë se tre orë nga hetuesit e Prokurorisë së Posaçme, dhe nga deklaratat e tij u mësua se ishte pyetur në lidhje me pasurinë e familjes.

/j.p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Exit mobile version