Agjencia Telegrafike Shqiptare

Kongresi i parë gjuhësor kushtuar shqipes, në Kalabri

TIRANË, 8 tetor/ATSH/ 129 vjet me parë zhvilloi punimet i pari Kongres Gjuhësor Shqiptar.

Ky kongres u mbajt në Koriliano Kalabro, të Provincës së Kozencës, më 1–3 tetor 1895 dhe u pasqyrua gjerësisht nga shtypi italian dhe europian i kohës si një ngjarje me rëndësi të veçantë. Tema e kongresit ishte prezantimi i aspekteve gramatikore, leksikore dhe fonetike të gjuhës shqipe, të asaj gjuhe të lashtë, të ëmbël e melodioze, që arbëreshët e ruanin dhe e kultivonin me dashuri dhe patriotizëm shembullor.

Kongresi i zhvilloi punimet në mjediset e gjimnazit “Garopoli” dhe morën pjesë 25 kongresistë gjuhëtarë, shkrimtarë, poetë, gazetarë dhe klerikë të shquar të kishës arbëreshe.

Ky aktivitet shkencor gjuhësor dhe patriotik u ndoq nga afër nga rreth 500 pjesëmarrës të ardhur nga komuna të ndryshme të Kalabrisë, Kampanjës, Pulias dhe Siçilisë. Me 2 tetor 1895, pjesëmarrësit në Kongresin e Koriliano-Kalabro miratuan themelimin e Shoqërisë Kombëtare Shqiptare, statutin dhe këshillin drejtues me kryetar nderi një prej personaliteteve më të rëndësishëm të letërsisë shqipe të shekullit XIX dhe botës arbëreshe, Jeronim De Radën.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Exit mobile version