Agjencia Telegrafike Shqiptare

NJU JORK – Blinken: Bisedimet e Pekinit për paqen në Ukrainë ‘nuk përputhen’

NJU JORK, 28 shtator /ATSH/- Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken nënvizoi shqetësimet e SHBA-së për mbështetjen e Kinës për bazën industriale të mbrojtjes ruse, gjatë një takimi dje me ministrin e Jashtëm kinez Wang Yi, duke thënë se bisedimet e Pekinit për paqen në Ukrainë “nuk përputhen”, sipas Reuters.

Gjatë një takimi me Wang në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork, Blinken tha se gjithashtu, kishte ngritur shqetësimet lidhur me veprimet e rrezikshme dhe destabilizuese të Kinës në Detin e Kinës Jugore , si dhe kishte diskutuar përmirësimin e komunikimit ndërmjet ushtrive të tyre.

Blinken tha në një konferencë për shtyp se ai dhe Wang kishin diskutuar gjithashtu mënyrat për të penguar rrjedhën e lëndëve narkotike në SHBA dhe rreziqet që vinin nga inteligjenca artificiale.

“Rreth 70 për qind e makinerive që importon Rusia dhe 90 për qind e mikroelektronikës vijnë nga Kina dhe Hong Kongu”, shtoi Blinken.

“Kjo po e ndihmon materialisht Moskën të prodhojë raketa, automjete të blinduara dhe municione të nevojshme për të përjetësuar luftën e saj”, tha ai.

“Pra, Pekini thotë se, nga njëra anë, ai dëshiron paqen dhe t’i jepet fund konfliktit, por nga ana tjetër, ai po lejon kompanitë e tij të ndërmarrin veprime – që në fakt po ndihmojnë Putinin të vazhdojë agresionin. Kjo sikur nuk bën sens”, tha Blinken.

Wang tha se qëndrimi i vendit të tij për luftën në Ukrainë ka theksuar gjithmonë nevojën për paqe përmes bisedimeve.

Kina dhe Brazili vazhduan dje përpjekjet për të mbledhur vendet në zhvillim sipas një plani paqeje në Ukrainë, pavarësisht se presidenti Volodymyr Zelensky refuzoi iniciativën duke e quajtur atë në shërbim të interesave të Moskës.

Takimi i 17 kombeve u kryesua nga Wang dhe këshilltari brazilian për politikën e jashtme Celso Amorim. Wang u tha gazetarëve se ata diskutuan nevojën për të parandaluar përshkallëzimin dhe për të shmangur përdorimin e armëve të shkatërrimit në masë, si dhe për të parandaluar sulmet ndaj centraleve bërthamore. //a.i/

 

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Exit mobile version