Agjencia Telegrafike Shqiptare

Komisioni hetimor për koncesionet në Shëndetësi, seancë me dëshmitarët

TIRANË, 9 shtator/ATSH/ Komisioni hetimor për shërbimet publike të sterilizimit dhe të check-up në shëndetësi nisi sot seancën dëgjimore me dëshmitarin Enkel Joti, ish-drejtori i QSUT-së.

Kryetarja e komisionit hetimor, Albana Vokshi i kujtoi Jotit se ai vetë Joti gjatë kohës që ka qenë drejtor ka shprehur shqetësimin herë pas herë në Ministrinë e Shëndetësisë sa i takon koncesionit.

Ajo madje lexoi dhe disa shkresa dhe ankesa të shefave të reparteve ku shprehin shqetësimin për problematikat e shërbimit.

Vokshi tha se “ku përcaktohej që QSUT duhej të jepej falas pa qira 700 metra katror si dhe vënia e centralit në dispozcion, të cilat u evidentuan në raportin e KLSH?”.

“QSUT e ka kryer këtë rekomandim” tha Joti.

Më tej Vokshi u shpreh se “27 autoklava që deri në momentin kur nisi koncesionari kryenin procesin, në kohën që keni qenë drejtor a kanë funksionuar këto autoklava? Çfarë ndodhi me to?”.

Joti u përgjigj se “këto autoklava kanë qenë pjesë e marrëveshjes me ministrinë si do të veprohej me to. Drejtuesit kanë folur me ministrinë për t’i shpërndarë këto autoklava ku kishte nevojë. Në periudhën time nuk ka pasur autoklava. Nuk mbaj mend që janë vënë në përdorim”.

“Në dijeninë time koncesionari ka qenë gjë e mirë që është bërë për QSUT-në. Nuk e di nga ana financiare por nga impakti që kam marrë nga stafi. Normale që kishte problematika, do të ishte anormale nëse nuk kishte. Ata nuk janë robotë. Problem do të ishte nëse nuk do i kisha adresuar. Nuk di cili shërbim i kardiokirurgjisë nuk është futur në koncesion dhe për çfarë arsye. Koncesionin nuk e lidhi QSUT por u lidh më përpara nga ministria dhe iu dërgua QSUT-së e të gjithë spitaleve të tjera për ta zbatuar. Për të monitoruar këto problematika e adresuar”, theksoi Joti.

Më tej Vokshi tha se “ka disa rekomandime që KLSH i ka gjetur në shkelje. Mungesa e qirasë është konsideruar dëm në buxhet. Është vetëm njëra. Nga kush kryheshin sterilizimet në QSUT?”.

“Instrumentet sterilizoheshin nga Saniservice, në dijeninë time. Pyetjet janë teknike, nuk i mbaj mend detajet”, u shpreh Joti.

 

k.s/

 

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Exit mobile version