Agjencia Telegrafike Shqiptare

“Territor i pastër”, asgjësohen 1848 bimë kanabisi në Shkodër

TIRANË, 7 shtator/ATSH/ Në vijim të megaoperacionit policor antikanabis “Territor i pastër”, në Shkodër u asgjësuan 1848 bimë kanabisi.

Në kuadër të këtij megaoperacioni, që ka si objektiva parandalimin, konstatimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale të kultivimit të bimëve narkotike, shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër dhe të komisariateve në varësi të saj, kanë vijuar intensivisht kontrollet në të gjithë territorin e qarkut.

Gjatë kësaj faze të megaoperacionit shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër gjetën dhe asgjësuan në territorin e njësive administrative Pult, Shalë dhe Postribë 1405 bimë kanabisi.

Po ashtu, shërbimet e Komisariatit të Policisë Vau i Dejës gjetën në territorin e njësisë administrative Shllak dhe asgjësuan 443 bimë kanabisi.

Policia po vijon punën për identifikimin, kapjen dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale, të autorëve të kultivimit të këtyre bimëve narkotike.

/m.m/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Exit mobile version