Agjencia Telegrafike Shqiptare

Koçiu: Hap dyert së shpejti Poliklinika në Shkodër me 19 kabinete të specialiteteve të ndryshme

TIRANË, 26 gusht/ATSH/ Poliklinika e Specialiteteve në Shkodër shumë shpejt do të hapë dyert.

Lajmi u bë i ditur nga ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu në një postim në rrjetet sociale, ku ndau pamje nga kjo poliklinikë.

“Poliklinika e Specialiteteve do të ofrojë shërbime shëndetësore për 200 mijë banorë në 19 specialitete të ndryshme”, tha Koçiu.

Ministrja Koçiu u shpreh se do të vijojë puna për modernizimin dhe transformimin e strukturave spitalore dhe qendrave shëndetësore në të gjithë vendin.

Poliklinika e Specialiteteve në Shkodër do të jetë e pajisur me 19 kabinete për specialitete të ndryshme të sëmundjeve të brendshme si dhe ekzaminime laboratorike e imazherike në: kardiologji, gastrohepatologji, reumatologji, endokrinologji, nefrologji, hematologji, pneumologji, pediatri, kirurgji, ORL, neurologji, onkologji dhe alergologji.

Ky institucion shëndetësor do të pajiset edhe me aparatura të reja mjekësore dhe diagnostikuese.

/k.s/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Exit mobile version