TIRANË, 26 gusht/ATSH/ Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali përkujtoi sot ditëlindjen e Shën Terezës, si një datë madhështore për shqiptarët dhe botën.
Në një mesazh në ditën e lindjes së Nënë Terezës, Spiropali u shpreh se “Shën Tereza është shqiptarja më e ndritur, e cila, me përdëllimin e saj karshi mjerimit, urrejtjes, individualizmit dhe indiferencës, krijoi një qiellnajë shpirtërore të dashurisë, solidaritetit dhe përkushtimit”.
“Nga porositë e panumërta dhe të paçmuara që Nënë Tereza, kjo luftëtare e urtë e paqes pa mjete dhune, i la njerëzimit, sot, në këtë botë të trazuar, të rrezikuar nga retë e luftës, kam zgjedhur mësimin e madhërishëm: ‘Nuk kemi nevojë për armë dhe bomba për të sjellë paqe në botë, kemi nevojë për dashuri, mëshirë, dhembshuri'”, u shpreh Spiropali.
Anjeza Gonxhe Bojaxhiu, e njohur botërisht me emrin në Nënë Tereza, lindi në Shkup, më 26 gusht të vitit 1910, nga prindër shqiptarë. /m.m/
