Agjencia Telegrafike Shqiptare

FOKUS – Vatikani: Irani të vetëpërmbahet mes shqetësimeve serioze në LM

VATIKAN, 12 gusht /ATSH-DPA/ – Vatikani i ka kërkuar Iranit të ushtrojë vetëpërmbajtje përballë kërcënimit të një zjarri lufte në Lindjen e Mesme.

Në një bisedë telefonike me presidentin e ri iranian Masoud Pezeshkian, Sekretari i Shtetit i Vatikanit, kardinali Pietro Parolin shprehu “shqetësimin serioz të Selisë së Shenjtë për atë që po ndodh në Lindjen e Mesme”.

Në bisedë, kreu i diplomacisë së Vatikanit ”përsëriti nevojën për të shmangur një përshkallëzim të konfliktit dhe për t’u fokusuar në dialog, negociata dhe paqe”.

Frika për një luftë të gjithanshme rajonale është rritur pas vrasjeve në shënjestër të dy figurave të larta, një nga grupi islamik palestinez Hamas dhe tjetri nga milicia libaneze e mbështetur nga Irani, Hezbollah.

Irani dhe Hezbollahu njoftuan se do të ndërmarrin sulme masive hakmarrëse kundër Izraelit në përgjigje të vrasjeve.

Forcat e armatosura izraelite kanë qenë në gatishmëri të lartë prej ditësh.

SHBA, aleatja më e rëndësishme e Izraelit, ka dërguar anije dhe avionë luftarakë shtesë në rajon duke forcuar më tej praninë e saj atje./   /os/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Exit mobile version