Agjencia Telegrafike Shqiptare

Sveçla mbron aksionin për mbylljen e degëve të Postës së Serbisë

PRISHTINE, 6 gusht/ATSH/ Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, e ka mbrojtur aksionin e autoriteteve të Kosovës të ndërmarrë më 5 gusht, kur u mbyllën nëntë degë të Postës së Serbisë në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe.

Gjatë një vizite në Mitrovicë të Veriut, Sveçla u pyet nga gazetarët për aksionin, i cili u kritikua nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

“Çfarë janë duke bërë institucionet e Kosovës është shumë normale. Ato nuk kanë pasur licencë”, tha Sveçla, shkruan REL, transmeton KosovaPress.

 

Një ditë më parë, nga Policia e Kosovës thanë se aksioni u zhvillua pas informatës së pranuar nga Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP) se në territorin e Kosovës po operojnë operatorë ekonomikë pa licencë dhe që nuk janë të regjistruar në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve në Kosovë (ARBK).

 

Bashkimi Evropian e qortoi aksionin, duke thënë se ishte një veprim i njëanshëm dhe i pakoordinuar i autoriteteve të Kosovës. /KosovaPress/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Exit mobile version