BERLIN, 1 gusht /ATSH-DPA/- Ministrja e Jashtme gjermane Annalena Baerbock u kërkoi qytetarëve gjermanë të largohen nga Libani pas përshkallëzimit të tensioneve në rajon.
Thirrjet e saj të përsëritura vijnë pas vrasjes së liderit të Hamasit Ismail Haniyeh në Teheran – dhe sulmit kundër një komandanti të lartë të Hezbollahut, Fuad Shukr, në Liban.
“U bëj thirrje edhe një herë të gjithë qytetarëve gjermanë në Liban të largohen sa më shpejt të munden”, citoi Zyra e Jashtme Baerbock në platformën X.
Në këtë situatë të tensionuar, çdo vendim ose mund të lehtësojë situatën ose të nxisë zjarrin”, thuhet në postim.
“Unë u bëj thirrje të gjithëve – veçanërisht Iranit – të tregojnë vetëpërmbajtje dhe të shmangin përshkallëzimin”, u citua më tej Baerbock nga Ministria e Jashtme.
Irani dhe Hamasi akuzuan Izraelin për vrasjen e liderit të Hamasit Haniyeh dhe kërcënuan me hakmarrje. Hezbollahu nuk ka komentuar, por ka njoftuar një fjalim të liderit të tij Hassan Nasrallah.
“Është thelbësore që konflikti rajonal të parandalohet tani – dhe që i gjithë rajoni të mos zhytet në kaos”, citoi Zyra e Jashtme Baerbock në X.
“Qeveria gjermane po bën gjithçka që është e mundur, në bashkëpunim me partnerët e saj dhe përmes kanaleve diplomatike, për të parandaluar një përshkallëzim dhe konflikt rajonal”, thuhet në postim. //a.i/
