TIRANË, 31 korrik /ATSH/ I Ngarkuari me Punë në ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, David Wisner ka mbyllur shërbimin e tij në vendin tonë.
Në një videomesazh Wisner e vlerëson shumë vitin që kaloi duke shërbyer në Ambasadën e SHBA në Tiranë dhe duke krijuar lidhje me popullin shqiptar.
Wisner tregon cilat janë kujtimet të tij më të çmuara nga Shqipëria, sfidat me të cilat u përball, si dhe këshillat për pasuesen e tij, Nancy VanHorn.
“Ka qenë kënaqësia ime e madhe që kam shërbyer këtu në ambasadë dhe me popullin shqiptar që prej vitit të kaluar. Do ta kujtoj gjithmonë mirëpritjen e përzemërt dhe të ngrohtë që më është ofruar këtu”, u shpreh ai.
Wisner vuri theksin tek pritja që iu bë në vendin tonë, Sekretarit të Shtetit, Antony Blinken.
“Ishte një nder i veçantë të mirëprisja Sekretarin e Shtetit, Antony Blinken si dhe aktorin dhe aktivistin R.J. Mitte dhe një larmi të madhe vizitorësh amerikanë nga sektori i drejtësisë tek ai ushtarak, si dhe nga fusha e ekonomisë”, theksoi Wisner.
Ai theksoi se ka qenë një vit intensiv në ndërtimin e kësaj marrëdhënieje të mrekullueshme.
“Dua t’ju falënderoj për bujarinë e jashtëzakonshme që i keni treguar familjes time dhe mua”, tha ai.
Duke iu përgjigjur disa pyetjeve ai tha se një traditë që do marrë me vete është, “pasioni i pabesueshëm që ka Shqipëria për ekipin e saj të futbollit. Do të bëj tifo për ekipin “Kuq e Zi” kudo që të shkoj”.
I pyetur se cili vend në Shqipëri i është dukur si shtëpia e tij, Wisner tha se, “vendi im i preferuar ishte kampingu në Dibër dhe më pëlqeu shumë të bëja rafting në Përmet”.
Për gatimet shqiptare, ai tha se, “më pëlqeu shumë peshku i freskët këtu, në veçanti koca e freskët”.
Sa i përket sfidës më të madhe që u përballë gjatë shërbimit në Shqipëri, Wisner u shpreh se, “sfida më e madhe me të cilën u përballa këtu, ishte që kisha vetëm një vit shërbim. Sa do doja të kisha pasur pak më shumë që të kisha vizituar më shumë këtë vend të mrekullueshëm, por e konsideroj veten shumë me fat për aq sa pashë”.
I pyetur se çfarë këshille do t’i jepte pasuesit të tij, Wisner, u shpreh se, “pasardhësja ime, Nancy VanHorn do të mbërrijë së shpejti dhe e di që ajo do ta dojë Shqipërinë po aq sa unë. Këshilla që dua t’i jap është të vazhdojë punën e rëndësishme që kjo ambasadë po bën për të ndihmuar Shqipërinë të ecë përpara në këtë rrugë demokratike, duke ndërtuar lidhje me Shtetet e Bashkuara në fushën e mbrojtjes dhe duke ndërtuar lidhje më të mëdha ekonomike mes dy vendeve tona në dobi të dy popujve tanë. E di që ajo do të kalojë një kohë që shkëlqyer gjatë punës së saj këtu. Dhe e di që kjo ambasadë vërtetë pret me padurim të ndërtojë më tej mbi këto suksese të mëdha”.
