Agjencia Telegrafike Shqiptare

BERLIN – Gjermania bën thirrje për vetëpërmbajtje maksimale pas vrasjes së Haniyeh

BERLIN, 31 korrik /ATSH-DPA/- Qeveria gjermane ka paralajmëruar për rrezikun e një përshkallëzimi të mëtejshëm të situatës në Lindjen e Mesme – pas vrasjes së liderit të lartë të Hamasit, Ismail Haniyeh në Teheran.

“Ne u bëjmë thirrje të gjithë aktorëve të ushtrojnë vetëpërmbajtje maksimale. Logjika e sulmeve reciproke hakmarrëse është një gabim”, u tha gazetarëve një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme, në Berlin.

Ai u bëri thirrje të gjithëve – që të jenë të qetë dhe të bëjnë gjithçka që është e mundur për të shmangur përshkallëzimin e situatës.

“Gjithashtu shansi për një marrëveshje per lirimin e pengjeve dhe një armëpushim në Gazë nuk duhet të shpërdorohet tani”, tha zëdhënësi.

“Ministrja e Jashtme, Annalena Baerbock është në kontakt të ngushtë me partnerët e BE-së dhe përfaqësuesit e rajonit të Lindjes së Mesme”, shtoi ai.

“Qeveria gjermane po bën gjithçka që është e mundur me partnerët e saj – dhe po përdor të gjitha kanalet diplomatike për të parandaluar përshkallëzimin dhe konfliktin rajonal”, tha zëvendëszëdhënësi i qeverisë, Wolfgang Buchner.

“I gjithë rajoni ishte në një situatë jashtëzakonisht të rrezikshme – dhe askush nuk mund të kishte ndonjë interes për ta nxitur atë më tej”, shtoi ai. //a.i/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Exit mobile version