TIRANË, 25 korrik /ATSH/ Përpara bashkisë së Tiranës u zhvillua sot protesta e radhës e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit dhe grupit të Rithemelimit të Partisë Demokratike si dhe Partisë së Lirisë
Kreu i këshilltarëve opozitarë në Këshillin Bashkiak të Tiranës, Dorjan Teliti tha në protestën e sotme se, ata nuk do të tërhiqen deri në arritjen e objektivit.
“Ne do të qëndrojmë dhe nuk trembemi. Tirana dhe Shqipëria e di se kush ka abuzuar dhe kush ka vjedhur taksat e Tiranës. Ndaj Veliaj dhe ekipi i tij do mbajnë përgjegjësi. Ajo që më habit është fakti se si ky njeri nuk tërhiqet nga vjedhjet. Se si ky njeri nuk tërhiqet nga abuzimet, por vazhdon dita ditës të vjedhë paratë e Tiranës. Dhe kjo duhet të marrë fund një orë e më parë. Sepse këto zyra nuk kanë vend për njerëzit që shkelin ligjin”, tha Teliti.
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi në fjalën e tij në protestë e cilësoi SPAK-un si një organizatë kriminale.
“Ne nuk jemi popull skllevër. Ne kemi hedhur në det perandori. Ne kemi larguar pushtues më të egër dhe këta e dinë se vendi i tyre do të jetë aty ku e meritojnë”, tha Blushi.
“Kush ka shpresë tek një organizatë kriminale si SPAK që do të bëjë drejtësi, e ka gabim. Ata janë partnerë në krim bashkë me McGonigalët e tyre. Po të kishte drejtësi, Erion Veliaj do të ishte në burg“, tha Blushi.
Këlliçi tha se, kjo protestë është e 18-ta dhe është e paprecedentë.
“Të nderuar qytetarë, vini dhe protestoni përpara tashmë para asaj që çdo qytetar tashme e di që është selia e grupit të strukturuar kriminal 5D dhe të incenaratorit Tiranë”, tha ai.
“Kemi bërë publike atë çfarë ka kërkuar Gjykata e Apelit të Posaçëm për t’u ardhur në ndihme kolegëve të Erionit në SPAK dhe kolegët e Erion Veliajt kanë vendosur të amnistojnë bandën e inceneratorit të Tiranës dhe bandën 5D”, u shpreh ai.
Protestuesit në fund të protestës kanë gjuajtur me vezë në drejtim të bashkisë së Tiranës.
