Agjencia Telegrafike Shqiptare

Atentat me 3 të vrarë në Memaliaj, pista e hetimit, hakmarrja

TIRANË, 21 korrik /ATSH/ Një atentat me pasojë 3 viktima dhe 1 të plagosur ka ndodhur mbrëmjen e djeshme rreth orës 23:20 në lagjen nr. 3 në Memaliaj, në lokalin e shtetasit K.K.

Mediet raportojnë se, objektiv i atentatit ka qenë Shyqyri Kalemi (babai i Andrea dhe Zamir Kalemit), i cili ka mbetur i vrarë. Viktimë ka mbetur dhe Marsel Çela, 47 vjeç (lidhje shoqërore e viktimave), si dhe kamarieri i lokalit, Gledi Muka, 36 vjeç. I plagosur ka mbetur Artur Kalemi, 57 vjeç, (vëllai i Shyqri Kalemit), i cili është transportuar në spital për të marrë ndihmë mjekësore.

Ngjarja dyshohet të ketë ndodhur për hakmarrje si pjesë e sagës së ngjarjeve të ndodhura që prej 11 qershorit të vitit 2022, kur mbeti i vrarë në Tiranë me shpërthim të telekomanduar Aleksandër Sadikaj.

Nga veprimet e para hetimore dyshohet se autorët menjëherë pas ngjarjes janë larguar me shpejtësi në drejtim të Mallakastrës me një automjet tip BMW, që është gjetur i djegur paraditen e sotme në fshatin Bejaj.

Sipas informacioneve paraprake, ka dyshime se në atentat janë përfshirë 3 persona, njëri prej tyre ka dalë nga automjeti dhe ka qëlluar me breshëri kallashnikovi drejt objektivit të tyre, Shyqyri Kalemit.

Janë sekuestruar kamerat e sigurisë të disa bizneseve përgjatë gjithë rrugës ku ka ndodhur atentati i mbrëmshëm dhe gjithashtu është sekuestruar dhe kamera e sigurisë e bashkisë së Memaliajt, e cila kap drejtpërdrejt vendin ku ka ndodhur krimi dhe kanë qenë të ulur 3 viktimat.

Grupi i posaçëm hetimor në drejtimin e Prokurorisë dhe me ekspertë të Departamentit të Policisë Kriminale vijon punën në vendngjarje për sqarimin e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Exit mobile version