Agjencia Telegrafike Shqiptare

“Rozafa e Re e Shkodrës”, pikë e re moderne reference për qytetin

TIRANË, 17 korrik /ATSH/ Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga projekti fitues i konkursit ndërkombëtar, “Rozafa e Re e Shkodrës”, e studios prestigjioze spanjolle Selgascano Architect.

Pesë skuadra me prestigj në arkitekturë paraqitën përpara jurisë projektidetë për Rozafën e re, e cila do ta ripërtërijë e zgjerojë hotelin kryesor të qytetit, me një kapacitet të ri për Shkodrën që rilind dita-ditës dhe fiton përmasën e re të një destinacioni të Shqipërisë Turistike.

Studiot pjesëmarrëse ishin Benedetta Tagliabue – EMBT Architects nga Barcelona; Kuehn Malvezzi Architects nga Berlini; Selgascano Architects nga Madridi; Baukuh Architects nga Milano dhe Piero Lissoni & Partners nga Milano.

Rozafa e re do ta ripërtërijë e zgjerojë hotelin kryesor të qytetit, me një kapacitet të ri për Shkodrën e cila nga dita në ditë po fiton përmasa të reja të një destinacioni të Shqipërisë Turistike.

Në ceremoninë e prezantimit të studiove pjesëmarrëse, kryeministri Rama, tha se ajo çfarë do të ndërtohet “nuk është thjeshtë një objekt privat, por është një objekt që synojmë të krijojmë një ikonë të këtij shekulli për Shkodrën, e cila është shumë e pasur me monumente, është shumë e pasur me gjurmë të historisë, ku çdo brez ka lënë gjurmën e vet dhe ku kjo ndërtesë do të jetë një gjurmë, e cila do t’i shtohet kësaj trashëgimie të Shkodrës për brezat që vijnë”.

Kreu i bashkisë së Shkodrës, Benet Beci u shpreh se projekti inovativ i studios spanjolle “Segalscano dhe FRPO”, jo vetëm do të jetë një pikë e re moderne reference për qytetin, por dhe do të rrisë e përmirësojë cilësisht dhomat e hotelerisë e sallat e konferencave, në përgjigje të rritjes së kërkesës turistike në qytet.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Exit mobile version