UASHINGTON, 11 korrik /ATSH-DPA/- Mijëra qytetarë ukrainas që jetojnë në Poloni janë regjistruar për t’u bashkuar me një brigadë të planifikuar vullnetare, tha dje ministri i Jashtëm polak Radosław Sikorski – ndërsa merrte pjesë në samitin e NATO-s, në Uashington.
“Shumë prej tyre duan me të vërtetë të shërbejnë dhe të bëjnë ndryshime për bashkatdhetarët e tyre në vijën e parë, por ata thonë: ‘Ne nuk duam të na dërgojnë në betejë pa trajnimin e duhur”, tha Sikorski.
“Polonia, e cila ka pritur pothuajse 1 milion refugjatë ukrainas që nga pushtimi i plotë i Rusisë në shkurt 2022, duhet të trajnojë dhe pajisë vullnetarët përpara dislokimit të tyre në Ukrainë”, tha ai.
Brigada vullnetare mund të dëshmojë një përfitim të rëndësishëm për ushtrinë ukrainase, e cila po përpiqet të mobilizojë rekrutë të mjaftueshëm për të përforcuar trupat e saj në vijën e frontit në Ukrainën lindore.
Sikorski tha se vullnetarët do të lejohen të kthehen në Poloni pas dislokimit të tyre.
“Nëse çdo vend evropian do ta bënte këtë, Ukraina do të kishte disa brigada”, shtoi ai.
Legjioni i propozuar ukrainas në Poloni është pjesë e një marrëveshjeje sigurie të nënshkruar të hënën nga presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky dhe kryeministri polak Donald Tusk.
Polonia, një vend anëtar i Bashkimit Evropian dhe NATO-s, ka qenë një nga mbështetëset më të përkushtuara ushtarakë të Ukrainës gjatë konfliktit. //a.i/
