VJENË, 10 korrik /ATSH-DPA/- Kryeministri indian Narendra Modi këmbënguli se diplomacia është zgjidhja e vetme për t’i dhënë fund luftërave në Ukrainë dhe Gazë, një ditë pasi ai përfundoi vizitën në Moskë, ku u takua me presidentin rus Vladimir Putin.
Modi u takua sot me kancelarin austriak Karl Nehammer, në Vjenë.
“Problemet nuk mund të zgjidhen në fushën e betejës”, tha Modi së bashku me Nehammer pas takimit të tyre.
“Humbja e jetëve të pafajshme është e papranueshme, pavarësisht se ku ndodh”, shtoi ai.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky e cilësoi udhëtimin e Modit si “një zhgënjim të madh dhe një goditje shkatërruese për përpjekjet e paqes – ndërsa lideri i demokracisë më të madhe në botë përqafon kriminelin më të përgjakshëm në botë në Moskë në një ditë të tillë.
Në një deklaratë të përbashkët, India dhe Rusia thanë se do të vazhdojnë të bashkëpunojnë në sektorin e teknologjisë ushtarake.
Për shkak se nafta ruse është e lirë për shkak të sanksioneve perëndimore, India është bërë një nga klientët më të mëdhenj.
Vendi gjithashtu blen pajisje mbrojtëse nga Rusia. Në luftën e Ukrainës, qeveria në Nju Delhi ka qenë e heshtur në kritikat ndaj Moskës dhe në vend të kësaj u ka bërë thirrje të gjitha palëve të angazhoheshin në dialog. //a.i/
