Agjencia Telegrafike Shqiptare

Ndarja nga jeta e Kadaresë, Nikolla: Shkrimtari shqiptar më i madh i të gjitha kohërave

TIRANË, 1 korrik /ATSH/ Kryeparlamentarja Lindita Nikolla shprehu sot ngushëllimet për ndarjen nga jeta të shkrimtarit Ismail Kadare.

“Me veprën që krijoi, Ismail Kadare, shkrimtari shqiptar më i madh i të gjitha kohërave, u ngjit në Olimpin e letrave shqipe”, u shpreh Nikolla në një reagim.

“Me rrezatimin e përbotshëm të veprës së tij, Kadare e ngjiti letërsinë dhe kulturën shqiptare në majat e letërisë, kulturës dhe qytetërimit botëror”, theksoi Nikolla.

Kolosi i letrave shqipe, Ismail Kadare u nda nga jeta mëngjesin e sotëm.

Shkrimtari më në zë shqiptar, brenda e jashtë kufijve të Shqipërisë, ishte 88 vjeç.

Kadare lindi më 28 janar 1936 në lagjen Palorto të Gjirokastrës. Vokacioni i tij për letërsinë zuri fill në moshë të hershme.

Kadare është dekoruar nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë me Urdhrin “Nderi i Kombit”, nga shteti francez me urdhrat “Kryqi i Legjionit të Nderit” e “Oficer i Legjionit të Nderit” dhe nga mbreti i Spanjës me çmimin “Princi i Asturias”.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Exit mobile version