Agjencia Telegrafike Shqiptare

Begaj për Kadarenë: Shqipëria dhe shqiptarët humbën emancipuesin e tyre shpirtëror

TIRANË, 1 korrik/ATSH/ Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ndau një mesazh kushtuar shkrimtarit Ismail Kadare i cili u ndaj sot nga jeta. Presidenti Begaj shkroi në rrjetet sociale se, Shqipëria dhe shqiptarët humbën sot gjeniun e tyre të letrave, emancipuesin e tyre shpirtëror, Ballkani poetin e miteve të tij, Evropa dhe bota ndër përfaqësuesit më të spikatur të letërsisë moderne.

“Të qoftë e lehtë lëndina në panteonin e përjetësisë, Kolosi ynë i mendimit dhe i penës!”, shkroi presidenti Bajram Begaj.

Ismail Kadare u nda nga jeta mëngjesin e sotëm, në moshën 88-vjeçare, pas një shtrimi në QSUT. Ai kishte lindur më 28 janar 1936 në lagjen Palorto të Gjirokastrës, qytet që e formësoi e ndikoi dukshëm edhe në krijimtarinë e tij letrare që e bëri të njohur edhe përtej kufijve zyrtarë të Shqipërisë.

Për vite me radhë Kadare ishte kandidat për çmimin Nobel për Letërsinë, si dhe laureat i shumë çmimeve të tjera me rëndësi në vend si dhe në arenën ndërkombëtare.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Exit mobile version