TIRANË, 30 qershor/ATSH/ Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, njëherësh dhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, deklaroi sot se aksi rrugor Thumanë-Kashar, është i kategorisë “A” dhe hapja e tij lehtëson qarkullimin e mjeteve.
Në ceremoninë e hapjes së këtij segmenti ku ishin të pranishëm edhe kryeministri Edi Rama si dhe ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, Balluku tha se parametrat e sigurisë janë maksimale dhe nga sot aksi i dorëzohet Policisë Rrugore.
Balluku bëri të ditur se krahas segmentit janë ndërtuar edhe rrugët dytësore për tu përdorur për të gjithë ata që nuk duan të paguajnë.
“Bashkë me rrugën janë ndërtuar edhe rrugët dytësore për t’i dhënë mundësi çdo banori të zgjedhë nëse do të kalojë me pagesë apo jo. Ky është një nga kriteret që ne kemi vendosur për të gjitha segmentet”, tha ajo.
Nga ana tjetër, informoi ajo, jemi gati për të hapur garën për segmentin Milot-Balldre. Sipas saj, mbetet edhe loti i fundit ai Balldre-Muriqan.
Ministrja e Turzimit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro u shpreh se kjo është një rrugë që u shërben të gjithëve, ashtu sikundër turizmit duke pasur parasysh që lidh Veriun me Jugun.
“Nga tre portat hyrëse të Shqipërisë që vijnë nga Veriu kemi rritje 50-75 % të mjeteve që hyjnë”, u shpreh ajo.
Zv/kryeministrja po ashtu theksoi rëndësinë që ka ky aks edhe për lidhjen me portën kryesore në vend, atë të Rinasit.
“”Kjo është një rrugë që nuk është bërë thjesht për trafikun që prodhohet nga drejtuesit shqiptarë, por të gjithë turizmit se është një korridor që lidh Veriun me Jugun, dhe ka një lidhje me Korridorin e 8, një korridor që ne po ndërtojmë në këto momente”, u shpreh Balluku.
Rruga, shtoi ajo i shërben edhe aeroportit të Rinasit. “Shifrat po vijnë duke u rritur. Përveç investimeve brenda aeroportit të Rinasit, kjo do të jetë një rrugë që do t’u shërbejë pasagjerëve për të mbërritur në Tiranë duke eleminuar problematikën në Fushë-Krujë“, tha ajo.
Aksi Thumanë-Kashar është një ndër akset më të rëndësishëm të Korridorit Blu, e do të pasohet me ndërtimin e segmenteve të tjera që janë pjesë e kësaj vepre.
Ky segment i paraprin tre kantiereve të reja Thumanë – Milot, Kashar – Lekaj dhe Lekaj – Fier.
Të gjitha segmentet e Korridori Blu do të jenë me pagesë, pasi do të jenë akse të shpejtësisë së lartë, por në dispozicion të qytetarëve do të jenë edhe rrugët dytësore të cilat do të jenë pa pagesë.
Thumanë-Kashar është i aks i kategorisë A, ku shpejtësia e lëvizjes do të jetë 130 kilometra në orë, duke ofruar gjithashtu kushte të larta sigurie. Hapja e këtij aksi për qarkullimin e automjeteve do të lehtësojë ndjeshëm fluksin e trafikut.
Thumanë-Kashar përmban disa vepra arti, 11 ura, 105 tombino, 6 mbikalime dhe 6 nënkalime, si dhe nyje të mëdha me dalje në aeroportin e Rinasit dhe nyjën e Kasharit ku bëhet edhe lidhja me aksion rrugor Tiranë-Durrës. Ndërtimi i këtij aksi rrugor u realizua me financim privat, përmes një koncesioni 35 vjeçar. Për kalimin në këtë aks rrugor do të paguhet një tarifë prej 2.1 euro në një kohë që ekziston dhe rrjeti rrugor alternativ pa pagesë.
Më hapjen e këtij aksi rrugor pritet të lehtësohet përfundimisht i gjithë trafiku që krijohet në autostradën e veriut apo problematika në Aeroportin e Rinasit.
Korridori Adriatiko-Jonian, ku bën pjesë edhe aksi Thumanë-Kashar, është pjesë e Korridorit TEN-T Mesdhetar dhe ka një gjatësi totale prej 1 550 km. 20% e gjatësisë së tij kalon në territorin shqiptar.
