Agjencia Telegrafike Shqiptare

Unaza e Madhe, ARRSH: Realizohen 55 % e punimeve në urat mbi lumin e Tiranës

TIRANË, 18 qershor /ATSH/ Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) po vijon punën në veprat dhe projektet e infrastrukturës rrugore, ku po investohet për ndërtimin e akseve të reja.

ARRSH ndau sot në rrjete sociale, pamje nga punimet që po kryen në kantierin e urës mbi lumin Tiranë, pjesë e Unazës së Madhe të Tiranës.

“Në kantierin Urat mbi lumin Tiranë, po vijon puna pa ndërprerje duke arritur realizimin fizik të punimeve rreth 55%”, njoftoi ARRSH.

Sipas ARRSH-së, në këtë kantier ka përfunduar prodhimi i gjithë strukturës së celikut të urave dhe paralelisht po vijon puna për montimin e trarëve.

Projekti e trajton zonën edhe me elementët urbanë.

Unaza e Madhe e kryeqytetit përbën një segment rrugor të gjerë dhe me standarde, mbi 27 kilometra të gjatë.

Ndërtimi i Unazës lehtëson trafikun dhe shkurton distancat, sidomos për mjetet që kalojnë tranzit në Tiranë, apo lëvizin nga periferia jashtë Tiranës. Kjo unazë do të bëjë të mundur një shpërndarje të trafikut.

Në të gjitha zonat ku kalon, ky segment rrugor gjallëron jetën e komuniteteve dhe rrit vlerën e pronave dhe të investimeve të banorëve të komuniteteve.

 

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Exit mobile version