TEL AVIV, 6 qershor /ATSH-DPA/- Forcat e Mbrojtjes të Izraelit (IDF) thanë se kanë goditur një kompleks të grupit militant palestinez Hamas të vendosur brenda një shkolle të UNRWA-s, në qendër të Rripit të Gazës.
IDF tha se avionët e Forcave Ajrore izraelite “kryen një sulm të përpiktë” në kompleksin në zonën e kampit të refugjatëve Nuseirat.
Sipas raportimeve të mediave palestineze, 27 persona u vranë në sulmin ajror.
“Terroristët e Hamasit dhe Xhihadit Islamik që i përkisnin Forcave “Nukhba” dhe morën pjesë në sulmin vrasës në jug të Izraelit më 7 tetor, po vepronin në kompleks”, tha IDF në Telegram.
“Nukhba” është një njësi speciale brenda krahut ushtarak të Hamasit. Pretendimet nuk mund të verifikohen në mënyrë të pavarur.
Të martën ushtria izraelite njoftoi se kishte përdorur dronë për të goditur një shkollë që i përkiste Agjencisë së OKB-së për Ndihmë dhe Punë për Refugjatët Palestinë në Lindjen e Afërt (UNRWA) në al-Bureij, duke thënë se militantët e Hamasit kishin planifikuar sulme të shumta kundër civilëve izraelitë dhe ushtarëve prej andej.
Forcat e armatosura izraelite akuzojnë vazhdimisht Hamasin islamik se vepron nga objektet civile dhe se përdor civilët në Rripin e Gazës si mburoja njerëzore. Hamasi e ka mohuar këtë pretendim.
Lufta në Gazë u shkaktua nga masakra e paprecedentë e kryer nga militantët e Hamasit dhe organizatave të tjera ekstremiste palestineze në Izrael pranë kufirit me Rripin e Gazës, më 7 tetor.
Militantët vranë më shumë se 1200 njerëz dhe rrëmbyen më shumë se 250 pengje në Rripin e Gazës.
Izraeli u përgjigj me sulme masive ajrore dhe një ofensivë tokësore. Sipas autoritetit shëndetësor të kontrolluar nga Hamasi, 36,550 njerëz janë vrarë deri më tani dhe 82,959 të tjerë janë plagosur.
Këto shifra, të cilat nuk bëjnë dallime mes luftëtarëve dhe civilëve, nuk mund të verifikohen në mënyrë të pavarur aktualisht. //a.i/
