TIRANË, 4 qershor /ATSH/- Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kërkuan dje Këshillit të Sigurimit të OKB-së të mbështesë planin e shpallur nga presidenti Joe Biden që synon t’i japë fund luftës gati tetëmujore në Gazë, duke liruar të gjithë pengjet dhe duke dërguar ndihma masive në territorin e shkatërruar, sipas AP.
Ambasadorja e SHBA-së, Linda Thomas-Greenfield tha se SHBA-ja u kishte paraqitur një projekt-rezolutë 14 anëtarëve të tjerë të këshillit për të mbështetur propozimin për t’i dhënë fund konfliktit, që filloi me sulmin e befasishëm të Hamasit në Izraelin jugor më 7 tetor duke shkaktuar vdekjen e rreth 1200 njerëzve, kryesisht kryesisht civilë izraelitë.
“Shumë liderë dhe qeveri, përfshirë rajonin, e kanë miratuar këtë plan dhe ne i bëjmë thirrje Këshillit të Sigurimit që t’i bashkohet atyre në thirrjen për zbatimin e kësaj marrëveshjeje pa vonesë dhe pa kushte të mëtejshme”, tha ajo në një deklaratë.
Projekt-rezoluta i bën thirrje Hamasit të pranojë plotësisht dhe të zbatojë kushtet pa vonesë dhe pa kushte. Hamasi ka thënë se e sheh propozimin “pozitivisht”.//a.i/
