Agjencia Telegrafike Shqiptare

DOHA – Katari bën thirrje për pozicione të qarta për marrëveshjen e Gazës

DOHA, 4 qershor /ATSH-DPA/ – Katari deklaroi se as qeveria izraelite dhe as lëvizja islamike palestineze Hamas nuk kanë lëshuar ende një deklaratë të qartë mbi planin e shpallur nga presidenti amerikan Joe Biden për t’i dhënë fund luftës në Gaza.

“Ne nuk kemi parë ende një qëndrim shumë të qartë nga qeveria izraelite mbi parimet e përshkruara nga Biden”, theksoi zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Katarit, Majed al-Ansari në një konferencë shtypi.

Deklaratat kontradiktore të ministrave izraelitë nuk e kanë bërë shtetin e Gjirit shumë të sigurt për ekzistencën e mundshme të një qëndrimi të bashkuar në Izrael për propozimin aktual.

Katari, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Egjipti kanë ndërmjetësuar prej javësh midis Izraelit dhe Hamasit për të arritur një armëpushim dhe një shkëmbim pengjesh me të burgosurit palestinezë.

Al-Ansari theksoi se ”duhet të shohin deklarata të qarta nga të dyja palët”.

Burime të Hamasit në kryeqytetin libanez Bejrut thanë të martën se Hamasi do të njoftojë përgjigjen e tij ndaj planit të paraqitur nga Biden “në orët ose ditët e ardhshme”./   /os/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Exit mobile version