TIRANË, 24 maj /ATSH/ Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro prezantoi sot risitë e aplikacionit TEA për këtë vit.
Në fjalën e saj në gjatë takimit “Rrugë të sigurta, turizëm i sigurt”, ku ishin të pranishëm zv/kryeministrja e ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku dhe ministri i Brendshëm, Taulant Balla, Kumbaro tha se “përveçse me një informacion të plotë për aktivitetet turistike e kulturore TEA këtë vit vjen në versionin e pasuruar, si një “one stop shop” brenda të cilit ka informacion të integruar siç është platforma “eTransport””.
“Bashkë me kolegët e DPSHTRR, të cilët kanë hapur tashmë portalin eTransport dhe ne e kemi përfshirë tek një tjetër aplikacion që na është shkarkuar në disa dhjetëra mijëra telefona vizitorësh të huaj nga më shumë se 900 vende të botës që është TEA (Tourism Events of Albania) i cili vjen këtë vit i pasuruar si një “one stop shop’ jo vetëm për aktivitetet turistike kulturore, por edhe me informacione që kanë të bëjnë me sigurinë. Me anë të këtij aplikacioni vizitorët kontaktojnë në rast problemesh shëndetësore, në rast problemesh me policinë dhe brenda kanë të integruar edhe informacionin eTransport, të cilin duhet ta shpërndajmë shumë më tepër sepse puna është bërë, është një portal që funksionon shumë mirë, por duhet ndoshta duhet ta promovojmë më shumë që turistët të marrin informacion si lëvizet me transportin nga një qytet në një qytet tjetër”, theksoi Kumbaro.
Aplikacioni TEA i prezantuar vitin e kaluar si një risi teknologjike për turizmin shqiptar është kalendari digjital, i cili ofrohet përmes një aplikacioni miqësor për çdo përdorues brenda Shqipërisë dhe anembanë botës duke ju dhënë mundësinë që për të parën herë të krijoni paketa të turizmit kulturor dhe të udhëtoni nëpër kulturën, trashëgiminë, artet, sportet dhe kulinarinë e pasur të Shqipërisë.
/k.s/r.e/
