TIRANË, 24 maj/ATSH/ Tirana njofton se ka mbyllur me konsensus bashkëpunimin me trajnerin Erbim Fagu dhe zv/trajnerin Endri Vrapi.
Klubi bardheblu njofton se gjatë ditës së sotme ka komunikuar dhe ka arritur me konsensus të mbyllë bashkëpunimin me dy Vrapin dhe Fagun, të cilët nuk arritën të realizonin objektivin e paracaktuar, praninë e skuadrës më të titulluar në vend mes 4 finalistëve të kampionatit të Shqipërisë. Bardheblutë arritën të mbyllnin kampionatin në vendin e 5.
“Faleminderit Erbim Fagu. KF Tirana njofton se ka mbyllur me konsensus bashkëpunimin me trajnerin Erbim Fagu. Klubi i Futbollit Tirana shpreh mirënjohjen e pamasë për teknikun, mbi kontributin e madh që trajneri Fagu ka dhënë gjatë gjithë rrugëtimit si bardh’ e blu dhe njëkohësisht i uron suksese në vazhdimësi”, njofton Tirana.
“Faleminderit Erbim për emocionet dhe punën tënde të palodhur! Gjithmonë një vend mes nesh! Faleminderit Endri Vrapi. KF Tirana njofton se zv. trajneri Endri Vrapi dhe klubi vendosën me konsensus për të ndërprerë bashkëpunimin”, lexohet në njoftim.
“Vrapi u bashkua me Tiranën gjatë këtij sezoni, duke qenë ndihmës trajner, teksa klubi e falënderon për punën dhe kontributin me ngjyrat bardh’ e blu, duke i uruar njëkohësisht suksese në karrierën e tij”, përfundon njoftimi i klubit bardheblu.
