Agjencia Telegrafike Shqiptare

Asllani kampion i Italisë me Interin: Jam i lumtur, s’kam fjalë

TIRANË, 23 prill/ATSH/ Skuadra e Interit, ku luan mesfushori kuqezi Kristjan Asllani është shpallur kampione e Italisë. Zikaltërit pas fitores me Milanin mbrëmjen e të hënës, kanë siguruar matematikisht titullin e 20 kampionë në Seria A.

Një nga protagonistët e këtij sezoni tek zikaltërit ishte dhe futbollisti kuqezim, Kristjan Asllani, i cili ka shënuar 1 gol dhe 2 asist deri më tani.

“Ne jemi vërtet të lumtur, nuk ka fjalë. Si tifoz i Interit, nuk mund të kërkoja asgjë më të mirë. Ne jemi të lumtur, edhe sot ishim larg fushës tonë, por kishte shumë tifozë. Ndoshta nuk e kam kuptuar ende këtë kampionat, do të shohim të nesërmen. Fitorja në derbi ndoshta ka edhe më shumë rëndësi. Ne donim kampionatin, ia dolëm. Tani le të vazhdojmë përpara”, tha Asllani për mediet.

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka ka uruar Asllanin për këtë sukses. “Nder dhe krenari të shohim një lojtar të Kombëtares shqiptare të shpallet kampion në Serie A. Urime titullin kampion Kristjan Asllani!”, lexohet në statusin e Dukës.

/a.f/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Exit mobile version