Agjencia Telegrafike Shqiptare

Ish-këshilltari i Metës dhe ish-deputeti Ralf Gjoni në SPAK: Nuk jam nën hetim

TIRANË, 22 prill /ATSH/ Ish-deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe ish-këshilltari i Ilir Metës, Ralf Gjoni është thirrur sot në Prokurorinë Speciale Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).

Gjoni ka mbajtur pozicionin e këshilltarit të Ilir Metës, kur ky i fundit drejtonte Kuvendin e Shqipërisë. Gjoni mori mandatin e deputetit, pasi Partia Demokratike dhe LSI vendosën djegien e mandateve.

Në dalje të SPAK, Gjoni tha se është thirrur nga prokurorët për t’u marrë në pyetje në cilësinë e personit në dijeni. Ai mohoi që të jetë pjesë e dosjes së Ilir Metës.

“Jam pyetur si shtetas në cilësinë e të angazhuarit në pozicione shtetërore. Nuk u pyeta si person në hetim. Nuk ka arsye për të më hetuar mua. Nuk kam qenë pjesë e dosjes së ish- presidentit Meta, se s’kam qenë në kontakt me të kur ka qenë kryetar shteti. Nuk ka asnjë arsye për të më hetuar mua”, tha Gjoni.

“Nuk mund të them më shumë, mund të pyesni prokurorët. Dua të respektohem dhe dua të tregohem profesional, kaq kisha për të thënë”, u shpreh ai.

Ralf Gjoni u pyet për më shumë se 4 orë nga prokurorët e SPAK.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Exit mobile version