TIRANË, 20 prill /ATSH/ Egnatia ka fituar me rezultatin 2-1 përballjen ndaj Laçit në fushën e kurbinasve. Ndeshja e vlefshme për javën e 32-të të Superligës Shqiptare të Futbollit dhuroi emocione të shumta, pasi fillimisht ishin vendasit që shënuan, ndërsa skuadra fituese e Kupës së Shqipërisë arriti të përmbysi shifrat në pjesën e dytë, duke marrë tri pikë të plota në Laç.
Ndeshja u zhbllokua në minutën e 23’, kur djemtë e Armando Cungut gjetën rrugën e golit. Ishte Uilliam Korderio që topin e harkuar nga Kryeziu e dërgoi në rrjetë. Laçianët arritën të mbizotëronin në fushë përgjatë pjesës së parë, ndërsa me të filluar pjesa e dytë, ishin Rrogozhinasit që nisën të marrin lojën nën kontroll. Të besuarit e Elir Tetovës përmbysin gjithçka në 7 minuta. Montenegro vendosi ekuilibrat në të 62-tën, përpara se Ibrahimoglu në të 69-tën të dërgojë në festë tifozërinë mike.
Egnatia me këtë fitore ngjitet në kuotën e 60 pikëve, 9 më shumë se Vllaznia e vendit të dytë. Laçi nga krahu tjetër me këtë humbje sheh gjithnjë e më larg “Final Four”, duke e gjetur veten në vendin e shtatë me 38 pikë, duke ndjerë kështu “ankthin” e zonës së ftohtë në tabelë.
NDESHJET E JAVËS SË 32-TË
Kukësi-Skënderbeu 0-2
Erzeni-Tirana 0-2
Laçi-Egnatia 1-2
Ora 18:00 Partizani-Dinamo City
Ora 18:00 Teuta-Vllaznia
Klasifikimi:
Egnati 60 Pikë*
Vllaznia 51 Pikë
Partizani 48 Pikë
Tirana 46 Pikë *
Dinamo City 46 Pikë
Skënderbeu 44 Pikë *
Laçi 38 Pikë *
Teuta 37 Pikë
Erzeni 31 Pikë *
Kukësi 26 Pikë *
*Vllaznia, Partizani, Teuta dhe Dinamo City kanë një ndeshje më pak
