TIRANË, 15 prill /ATSH/Ekonomia dhe integrimi në Bashkimin Europian ishin në fokus të bisedimeve mes Presidentit Bajram Begaj dhe Presidentes së Sllovenisë, Natasha Pirc Musar, në një takim të zhvilluar këtë të hënë në Prishtinë.
Sipas një njoftimi për media, Presidenti Begaj, gjatë qëndrimit në Prishtinë, në kuadër të forumit ndërkombëtar për “Gratë, Paqen dhe Sigurinë”, u takua sot me Presidenten e Sllovenisë, Natasha Pirc Musar.
“Presidentët e dy shteteve riafirmuan nevojën për thellimin e bashkëpunimit, bazuar në interesat reciproke, partneritetin në NATO dhe perspektivën e përbashkët evropiane. Presidenti Begaj vlerësoi rolin e Sllovenisë në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian”, thotë njoftimi i presidencës.
“Presidenti Begaj, gjithashtu, përgëzoi homologen e tij për aktivizimin e Sllovenisë në rajon me nismat që kanë prodhuar progres konkret, stabilitet dhe zhvillim të qëndrueshëm si; Samiti “Brdo-Brijun”, Samiti “Bled-it” apo Procesi i Berlinit”, vijon njoftimi.
“Zhvillimi i bashkëpunimit ekonomik ishte një tjetër temë që dy presidentët diskutuan duke theksuar që të dy vendet kanë mundësi që mund edhe duhet të shfrytëzohen”, përfundon njoftimi. /a.f/
