GAZA/TEL AVIV, 20 mars /ATSH-DPA/ – Ushtria izraelite tha sot se po vazhdonte operacionin e saj në spitalin ”Al-Shifa” në qytetin e Gazës, objekti më i madh shëndetësor në Rripin e Gazës, me shumë militantë të tjerë të vrarë në luftime.
“Deri më tani, trupat kanë vrarë rreth 90 terroristë në zonë”, tha ushtria.
”Trupat izraelite arrestuan 160 të dyshuar dhe i sollën në Izrael për pyetje të mëtejshme”, shtoi ajo.
Ushtarët kanë sekuestruar edhe armë gjatë operacionit.
Sipas ushtrisë, civilët, pacientët, mjekët dhe pajisjet mjekësore nuk u dëmtuan.
Informacioni nuk mund të verifikohej në mënyrë të pavarur.
Të hënën, trupat izraelite hynë edhe një herë në këtë spital, ndërsa ndiqnin anëtarët e grupit militant palestinez Hamas, i cili konsiderohet përgjegjës për masakrat e 7 tetorit në jug të Izraelit.
Lëvizja islamike Hamas mori kontrollin e Rripit të Gazës në vitin 2007, pasi izraelitët tërhoqën vendbanimet nga territori në vitin 2005.
”Dy ushtarë izraelitë u vranë në operacionin në ‘Al-Shifa”, tha ushtria.
Në operacionet e saj të mëparshme në vend, ushtria izraelite tha se kishte gjetur atje një kompleks tuneli të Hamasit.
Izraeli ka akuzuar prej kohësh Hamasin për përdorimin e infrastrukturës civile si spitalet dhe shkollat si selinë e tij apo si dyqane armësh.
Hamasi mohon përdorimin e spitaleve për qëllime ushtarake./ a.jor.
