Agjencia Telegrafike Shqiptare

Rama: Dronët “Bayraktar” të FA kanë edhe detashmentin e tyre të çertifikuar të mjeteve fluturuese pa pilot

TIRANË, 17 mars/ATSH/ Dronët “Bayraktar” të Forcave të Armatosura kanë tanimë edhe detashmentin e tyre të çertifikuar të mjeteve fluturuese pa pilot.

Kryeministri Edi Rama bëri të ditur sot se oficerët, nënoficerët dhe ushtarët tanë të këtij detashmenti u trajnuan për 4 muaj në Keshan të Turqisë.

“Sot ata janë në gatishmëri si pilotë, elektroteknikë, mekanikë dhe operatorë ngarkesash, duke rritur aftësitë dhe zgjeruar kapacitetet operacionale të Forcës Ajrore dhe Forcave të Armatosura”, deklaroi Rama.

Dronët “Bajraktar” bënë fluturimin e parë më 4 mars, në ceremoninë e çeljes së bazës së re ajrore të NATO-s sot në Kuçovë.

Dronët “Bayraktar” janë teknologjia më e lartë e fluturimeve që përdoren për misione ushtarake, policore dhe civile.

Kompletimi i Shqipërisë me flotën e këtyre dronëve ka rëndësi të veçantë në funksion të sigurisë sonë kombëtare dhe asaj të Aleancës, si respektim i detyrimeve që rrjedhin nga Strategjia e Sigurisë Kombëtare, Strategjia Ushtarake dhe objektivat e Kapaciteteve të NATO-s.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Exit mobile version