Agjencia Telegrafike Shqiptare

GJKKO rrëzon kërkesën e Berishës dhe Malltezit, për ndryshimin e masës së sigurisë

TIRANË, 12 mars /ATSH/ Gjykata e Posaçme ka rrëzuar kërkesën e ish-kryeministrit Sali Berisha dhe dhëndrit të tij, Jamarbër Malltezit, për ndryshimin e masës së sigurisë.

Në njoftimin e GJKKO thuhet se, në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, u zhvillua seanca gjyqësore për marrjen në shqyrtim të kërkesës penale regjistruar pranë kësaj gjykate, me nr. 125 regjistrit themeltar, datë 23.02.2024, që i përket kërkuesit/të hetuarit Sali Berisha dhe kërkuesit/të hetuarit Jamarbër Malltezi.

Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues të përbërë nga gjyqtare Irena Gjoka, Gjykata, bazuar në nenet 112, 228, 229, 230, 237, 246 pika 6, 249 dhe 260 të K. Pr. Penale, vendosi:

Rrëzimin e kërkesës së kërkuesit/të hetuarit Sali Berisha, me objekt “Kërkohet revokimi i masës së sigurimit personal “Arrest në shtëpi”, parashikuar nga neni 237 i K. Pr. Penale, caktuar me vendimin nr.112, datë 20.10.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar dhe vazhduar zbatimi me Vendimin nr.117, datë 26.10.2023, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ndaj kërkuesit lënë në fuqi me vendimin nr.56, date 21.11.2023 të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ndryshuar me vendimin nr.520, date 30.12.2023, lënë në fuqi nga Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”, si të pabazuar në ligj dhe në prova.

Vazhdimin e zbatimit të masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues “arrest në shtëpi”, të parashikuar nga neni 237 i K. Pr. Penale ndaj shtetasit nën hetim Sali Berisha, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 260 e 25 i Kodit Penal, caktuar me vendimin nr.520 datë 30.12.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

Rrëzimin e kërkesës së kërkuesit/të hetuarit Jamarbër Malltezi, me objekt “Kërkohet revokimi i masës së sigurimit personal “Arrest në shtëpi”, parashikuar nga neni 237 i K.Pr.Penale, për personin nën hetim Jamarbër Malltezi”, si të pabazuar në ligj dhe në prova.
Vazhdimin e zbatimit të masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues “arrest në shtëpi”, të parashikuar nga neni 237 i K.Pr. Penale ndaj shtetasit nën hetim Jamarbër Malltezi, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 260 e 25 i Kodit Penal dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 287 paragrafi i dytë i Kodit Penal, caktuar me vendimin nr.56, datë 21.11.2023 të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

Pas seancës, avokati mbrojtës i Berishës, Genc Gjokutaj tha se, “sot edhe nga forma edhe nga përmbajtja ka qenë hapur në kundërshtim me ligjin. Prokurorët duhet t’u përgjigjeshin pyetjeve se ku qëndron korrupsioni i z. Berisha”.

“Prokurori, besnikërisht tha se nuk u jap asnjë shpjegim. Këta janë një komisariat politik. Nuk e di se si kjo Gjykatë ka dhënë masën e arrestit nuk bëri një pyetje”, tha midis të tjerash Gjokutaj.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Exit mobile version