NJU JORK, 7 mars /ATSH-DPA/- Kanadaja do të rifillojë financimin e UNRWA-s, agjencisë së ndihmës së OKB-së në territoret palestineze që është akuzuar se strehon luftëtarët e Hamasit.
“Qeveria e kryeministrit Justin Trudeau synon të bëjë një pagesë të planifikuar prej 25 milionë dollarësh CAN (19 milionë dollarë) dhe të sigurojë fonde shtesë”, raportoi më herët transmetuesi publik kombëtar CBC.
Duke cituar një burim qeveritar, ai tha se zyrtarët kanadezë kishin marrë një raport të përkohshëm nga OKB-ja që shqyrtonte pretendimet se stafi i UNRWA kishte marrë pjesë në sulmet e 7 tetorit ndaj Izraelit.
“Bazuar në atë informacion, qeveria kanadeze ishte e qetë për rifillimin e financimit”, tha burimi për CBC.
Kanadaja iu bashkua disa kontribuesve të tjerë të mëdhenj të OKB-së, duke përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Gjermaninë, në pezullimin e fondit për UNRWA-n pasi Izraeli zbuloi informacionin në janar se dhjetëra punonjës të UNRWA-s kishin marrë pjesë në sulme.
Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, António Guterres i përshkroi akuzat si të besueshme dhe premtoi një hetim të plotë. UNRWA i dha fund bashkëpunimit me disa punonjës.
Që nga viti 1949, UNRWA është kujdesur për nevojat e refugjatëve palestinezë, duke operuar institucionet shëndetësore dhe arsimore. Ajo ka një staf prej rreth 30 000 personash, prej të cilëve 13 000 janë në Rripin e Gazës.
Izraeli ka bërë thirrje që UNRWA të shpërbëhet. //a.i/
