Agjencia Telegrafike Shqiptare

Rama ndan fotot: Flamingot mbi lagunën e Kune-Vainit

TIRANË 24 shkurt /ATSH/ Flamingot janë rikthyer në habitatin e tyre të preferuar në lagunën e Kune-Vainit të Lezhës.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale fotografi të flamingove në habitatin e tyre natyror.

“Flamingot mbi lagunën e Kune-Vainit”, shkruan Rama në rubrikën “Beautiful Albania”.

Laguna e Kune-Vainit në Tale të Lezhës është zona e parë e mbrojtur në vend, e shpallur si e tillë gati 8 dekada më parë.

Laguna e Kune-Vainit ndodhet rreth 8 kilometra larg qytetit të Lezhës dhe shumë pranë Shëngjinit. Në përbërje të lagunës hyjnë mjedise detare, lagunore, ligatinore, pyje, shkurre dhe livadhe, që ndërthuren hijshëm midis tyre.

Laguna dallohet për larmi të madhe të botës së gjallë rreth 227 specie bimësh, 17 lloje molusqesh, 10 lloje amfibësh, 24 lloje zvarranikësh, disa lloje peshqish.

Veçanërisht e pasur është bota e shpendëve dhe 196 lloje migratore dhe të përhershëm, e cilësuar si “ornitologjia e Mesdheut”, dhe 23 specie gjitarësh.

/m.m/ /a.g/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Exit mobile version