TIRANË, 22 shkurt /ATSH/ Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro i ka cilësuar të pavërteta lajmet që qarkullojnë në portale, lidhur me një projekt ndërtimi pranë parkut Kombëtar Divjakë-Karavasta.
Në një prononcim për mediet, Kumbaro tha se nuk ka asnjë projekt për ndërtim në Parkun Divjakë-Karavasta.
“Çfarë kam parë dhe unë të qarkullojë në disa portale, madje më vjen keq dhe nga disa individë të cilët lobojnë dhe militojnë për mjedisin, ajo që unë kam parë fotografitë, që kanë qarkulluar, janë të pavërteta. Nuk ka asnjë projekt të tillë, që të ketë ardhur pranë Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, apo qeverisë. Nuk ka asnjë shqyrtim të një projekti të tillë, në Parkun Kombëtar të Divjakës. E gjitha është një përhapje lajmesh të pavërteta, që për fat të keq krijojnë përshtypje sikur në Parkun e Divjakës do bëhet nami…”, tha Kumbaro.
“Ligji shqiptar thotë që një ligj është gati për t’u implementuar mbasi është shqyrtuar dhe mbasi ka marrë të gjitha lejet. Unë nuk ndaloj njeri që të ëndërrojë, të ketë ide, të bëjë vizatime, rendera, fotografi. Jemi në demokraci. Ju po më bëni pyetje hipotetike, unë kam përgjigje reale. S’kam gjë ndaj portalit në fjalë, por kam parë të njëjtën gjë të qarkulluar, që është informacion i rremë. Kjo është pjesë e një realiteti ku jetojmë me teknologjinë e komunikimit. Nuk ka asnjë projekt të tillë, i cili të ketë hyrë në zyrat e shtetit shqiptar. Nuk na rezulton të ketë një propozim të tillë. Nuk ka dëshirë, paramendim për të miratuar rendera që qarkullojnë në portale”, nënvizoi Kumbaro.
Pak ditë më parë ishte Ina Zhupa, deputete e Partisë Demokratike, që akuzoi përmes një lajmi që qarkullonte në medie, se qeveria i kishte hapur rrugën ndërtimeve në Parkun Divjakë-Karavasta.
/r.e/
