Agjencia Telegrafike Shqiptare

BRUKSEL – Lazzarini i UNRWA-s kundërshton thirrjet për dorëheqje

BRUKSEL, 12 shkurt /ATSH-DPA/ – Drejtori i Agjencisë së OKB-së për Ndihmën dhe Punët për Refugjatët Palestinez në Lindjen e Afërt (UNRWA), Philippe Lazzarini, kundërshtoi sërish thirrjet për dorëheqjen e tij për lidhjet e dyshuara të agjencisë që ai drejton me Hamasin.

“Unë nuk kam ndërmend të jap dorëheqjen”, tha Lazzarini pas një takimi jozyrtar me ministrat e BE-së për Zhvillim, në pallatin Egmont ne Bruksel, për të diskutuar akuzat për lidhje me Hamasin dhe financimin e ardhshëm të agjencisë së tij.

Agjencia kryesore e ndihmës e OKB-së për palestinezët në Gaza është nën vëzhgim të ashpër pasi ushtria izraelite tha se zbuloi një tunel komandues të Hamasit që kalonte nën selinë e UNRWA-s.

Izraeli gjithashtu ka akuzuar dhjetëra punonjës të UNRWA-s për përfshirje në sulmet terroriste të 7 tetorit të udhëhequr nga grupi militant palestinez Hamas.

Agjencia e OKB-së shkarkoi anëtarët e stafit të UNRWA-s si përgjigje dhe nisi hetimet.//a.i/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Exit mobile version