Agjencia Telegrafike Shqiptare

Miratohet Strategjia e Mbrojtjes së Mjedisit Detar

TIRANË, 6 shkurt /ATSH/ Në drejtimin e zëvendëskryetares, Etilda Gjonaj, komisioni për Çështjet Europiane zhvilloi mbledhjen e radhës on-line, ku shqyrtoi dhe miratoi tre projektligje me objekt ratifikimin e disa marrëveshjeve të rëndësishme.

Fillimisht komisioni mori në shqyrtim projektligjin “Për Ratifikimin e Marrëveshjes së Financimit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Këshilli i Ministrave i Republikës së Shqipërisë, Republikës së Kosovës, përfaqësuar nga zyra e Kryeministrit, dhe Komisionit Evropian, për Programin e Bashkëpunimit Ndërkufitar Shqipëri-Kosovë 2021-2027”, i cili u prezantua nga Altin Zeqo, drejtor i Drejtorisë së Konvergjencës dhe Kohezionit në SASPAC.

Gjatë prezantimit, Zeqo u ndal tek qëllimi dhe risitë e marrëveshjes së financimit, duke parashtruar se Programi i Bashkëpunimit Ndërkufitar Shqipëri – Kosovë 2021-2027 është miratuar nëpërmjet vendimit zbatues të Komisionit Evropian me nr. C (2022) 3235, të datës 23 maj 2022.

Duke folur për termat e Programit, përfaqësuesi i SASPAC sqaroi se, do të financohet nga një grant i BE nëpërmjet Instrumentit të IPA dhe synon nxitjen e marrëdhënieve të mira fqinjësore, inkurajimin e integrimit në Bashkimin Evropian dhe kontributin në zhvillimin social, ekonomik dhe territorial të zonës ndërkufitare të programit, përmes përmirësimit të mbrojtjes dhe ruajtjes së burimeve mjedisore, zhvillimit të turizmit të qëndrueshëm kulturor, etj.

Deputetja Gerta Duraku në cilësinë e relatores vlerësoi rëndësinë e marrëveshjes së financimit për zhvillimin e zonave ndërkufitare dhe nxitjen e ekonomisë lokale, si dhe nënvizoi se Programi është në përputhje me disa shtylla të strategjisë së BE-së për Rajonin Adriatik dhe Jonian, si dhe me legjislacionin parësor dhe dytësor të BE-së.

Pas diskutimeve komisioni miratoi në parim, nen për nen dhe në tërësi projektligjin në fjalë.

Mbledhja vijoi me shqyrtimin e projektligjit “Për Strategjinë e Mbrojtjes së Mjedisit Detar të Republikës së Shqipërisë”, i cili u prezantua nga znj. Almira Xhembulla, zëvendësministre e Turizmit dhe Mjedisit dhe Gerta Lubonja, drejtoreshë e përgjithshme të Agjencisë së Menaxhimit të Burimeve Ujore.

Fillimisht, Xhembulla sqaroi nevojën e sjelljes së projektligjit në kuadër të detyrimeve dhe angazhimeve të marra nga vendi ynë në procesin e integrimit europian, duke theksuar se cilësia e ujit është një nga nënkapitujt më të rëndësishëm të Kapitullit 27 për Mjedisin dhe Ndryshimet Klimatike ku një nga Direktivat kryesore lidhet me strategjinë marine.

Përfaqësueset e MTM-së sqaruan se, strategjia synon përcaktimin e kuadrit ligjor për arritjen dhe mirëmbajtjen e një statusi të mirë mjedisor të ujërave detare të Detit Mesdhe, të cilat janë pjesë e territorit të Shqipërisë dhe të përmbushë objektivat që janë në përputhje me përcaktimet e Direktivës së BE-së në këtë sektor.

Deputeti Blendi Klosi në cilësinë e relatorit vlerësoi rëndësinë e projektligjit për përmbushjen e detyrimeve të vendit tonë për transpozimin e plotë të kuadrit ligjor përkatës të BE-së për menaxhimin e ujërave detare dhe vlerësoi masat e fundit të ndërmarra për mbrojtjen e mjedisit detar, çka do të ndihmojë dhe në zhvillimin e turizmit në vend.

Pas pyetjeve dhe diskutimeve komisioni miratoi në parim, nen për nen dhe në tërësi projektligjin në fjalë.

Mbledhja vijoi me shqyrtimin e projektligjit “Për Ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kroacisë, për Mbrojtjen Shoqërore”, për të cilin ishin ftuar: Albin Gega, drejtor në Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit dhe Astrit Hado, drejtor i përgjithshëm i ISSH-së.

Gega sqaroi përmbajtjen dhe risitë e projektligjit, duke theksuar se Marrëveshja konsiston në ofrimin e përfitimeve në sigurimet shoqërore dhe bazohet në parimin e trajtimit të barabartë për shtetasit e të dy vendeve.

Gega theksoi se, Marrëveshja është iniciuar në përputhje me eksperiencën ndërkombëtare në fushën e sigurimeve shoqërore dhe shkon në përputhje me MSA dhe Direktivat e Kapitullit 19.

Relatorja e çështjes, Etilda Gjonaj, vlerësoi rëndësinë e marrëveshjes për garantimin e të drejtave të qytetarëve që punojnë dhe jetojnë në Kroaci dhe theksoi punën e mirë që po bëhet për arritjen e marrëveshjeve të tilla me disa shtete, ku punojnë dhe jetojnë shtetas shqiptarë.

Pas pyetjeve dhe diskutimeve, komisioni miratoi në parim, nen për nen dhe në tërësi projektligjin në fjalë.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Exit mobile version