TIRANË, 28 dhjetor/ATSH/ Atmosfera festive po ndihet si asnjëherë tjetër në sheshe e rrugë të ndryshme në kryeqendrën e veriut, Shkodër.
Kryeministri Edi Rama ndau këtë mbrëmje pamje nga atmosfera festive në Shkodër, e cila sipas tij është si asnjë vit më parë.
Dritat e shumëllojshme, dekori festiv, muzika dhe zërat gazmorë të fëmijëve mbushin plot ngjyra Shkodrën në prag të dhjetorit.
Godina e bashkisë, me arkitekturë të veçantë e tërheqëse dhe pemët e shëtitores para saj, janë veshur me drita dhe ngjyra që krijojnë një atmosferë të gëzueshme.
Pema e madhe e Vitit të Ri e vendosur në pedonalen kryesore të qytetit, dekori zbukurues dhe shtëpizat prej druri i kanë dhënë një pamje të mrekullueshme Shkodrës.
Ndërsa pista e patinazhit është kthyer në një tjetër atraksion për argëtimin e të rinjve e fëmijëve./m.m/
