Agjencia Telegrafike Shqiptare

Përfitues nga Skema Kombëtare, parku i bletëve në Elbasan shton kosheret

TIRANË, 22 nëntor /ATSH/ Parku i bletëve të Alban Mirakës në Elbasan, është mbështetur prej disa vitesh nga Skema Kombëtare, me subvencione për shtimin e koshereve dhe rritjen e cilësisë së mjaltit.

Edhe këtë vit, Albani është një ndër përfituesit e Skemës Kombëtare të Mbështetjes dhe ka një park prej 150 kosheresh.

Puna me bletët është një pjesë e pandashme e përditshmërisë së tij, ku kujdeset për mbarështimin e tyre, ndërrimin e koshereve, ruajtjen e mjaltit, duke treguar kujdesin e tyre për një prodhim cilësor dhe nga një koshere merr një sasi prej 10-15 kg mjaltë.

Bletaria është një sektor që ka marrë një zhvillim të konsiderueshëm vitet e fundit dhe mbështetja e dhënë përmes skemave subvencionuese ka ndihmuar në përmirësimin e standardeve dhe rritjen e të ardhurave të bletarëve.

Bletaria në Shqipëri ka një traditë të hershme. Mjalti i prodhuar në vendin tonë shquhet për cilësi kurative dhe vlera të larta ushqyese, për shkak të natyrës dhe klimës që ka vendi ynë, ndaj dhe kjo sipërmarrje po ndiqet me shumë interes nga fermerët.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Exit mobile version