Agjencia Telegrafike Shqiptare

Rama mbërrin në Forumin e Paqes në Paris

TIRANË, 10 nëntor/ATSH/ Kryeministri Edi Rama mbërriti sot për të marrë pjesë në edicionin e 6-të të Forumit të Paqes në Paris. Ky forum mbledh liderët botërorë për të diskutuar çështjet më të nxehta, mes të cilave paqja në Lindjen e Mesme, ku vijon konflikti në Rripin e Gazës, mbetet më kryesor.

Pjesëmarrjen Rama e njoftoi disa ditë më parë në një reagim për konfliktin në Gazë ku mbështeti thirrjen e Presidentit amerikan Biden për armëpushim humanitar.

Në një deklaratë ditën e djeshme në vigjilje të Forumit të Paqes në Paris 2023, Rama bën të ditur se do t’i bashkohet udhëheqësve të tjerë botërorë në Paris, për të diskutuar mënyrat se si mund të ndihmohet popullsia civile dhe me shpresë se mund t’i jepet fund konfliktit në Gaza.

“Si një anëtare e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, por më e rëndësishme akoma si një vend multifetar paqësor dhe paqedashës, Shqipëria është tejet e shqetësuar për konfliktin në vazhdim dhe vuajtjet e tejzgjatura të Gazës”, u shpreh Kryeministri Edi Rama.

Kryeministri ritheksoi se, Shqipëria qëndron e palëkundur me Izraelin kundër Hamasit.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Exit mobile version