TIRANË, 8 nëntor /ATSH/ Kryebashkiaku i Kamzës, Rakip Suli është paraqitur sërish sot në Prokurorinë e Posaçme.
Ai mbërriti në ambientet e SPAK mesditën e së mërkurës. Prokuroria e Posaçme pritet t’i kërkojë sqarime lidhur me hetimet që po kryhen për fondet e tërmetit të vitit 2019 dhe një tender për pastrimin e qytetit.
I pyetur nga media, kreu i bashkisë Kamëz, Suli u shpreh se, “erdha për të dorëzuar dokumentet”.
Kryebashkiaku i Kamzës u paraqit për herë të parë në SPAK më 6 nëntor për t’u marrë në pyetje në lidhje me akuzat.
Kryebashkiaku i Kamzës Rakip Suli u kallëzua në SPAK nga avokatja Adriana Kalaja dhe Alfred Halilaj, kryetar i grupit të këshilltarëve të koalicionit “Bashkë Fitojmë” për bashkinë Kamzë. Ai akuzohet nga kallëzuesit për veprat penale “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, “Shpërdorimi i detyrës”, “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tender apo ankande publike” dhe “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.
/r.e/
