Agjencia Telegrafike Shqiptare

Program gjithëpërfshirës i TKOB-it për muajin nëntor

TIRANË, 1 nëntor/ATSH/ Nëntori i krenarisë mbarëkombëtare do të bëjë bashkë në TKOB të gjithë shqiptarët, nga arbëreshët e deri te diaspora jonë nëpër botë. Por në programin e TKOB për këtë muaj, vëmendja do drejtohet veçanërisht nga fëmijët me aftësi ndryshe.

“TKOB është shtëpia e të gjithëve pa dallim, dhe këtë muaj kemi menduar të vijmë me koncerte të veçantë, dedikuar fëmijëve me aftësi ndryshe, dhe personave që nuk shikojnë. Sepse TKOB është teatri i përjetimeve dhe i mundësive”, thuhet në një njoftim online në faqen e Teatrit të Operas e Baletit.

Kalendari artistik i muajit nëntor do të nisë me muzikën më të mirë shqiptare të kompozuar ndër vite. Më pas do të shfaqet premierë absolute opera “Attila”, një histori e pushtetit barbar, tradhtisë dhe dëshirës për liri.

Muzika jazz si çdo të mërkurë do kumbojë në hollin koncertor, me festivalin “Wednesday in Jazz”.

Ansambli, Orkestra dhe Kori do të vijnë këtë muaj me koncerte simfonikë, instrumentalo-simfonikë dhe etno-muzikalë, për të përmbushur mozaikun kulturor, me muzikë tradite dhe simfoni shqiptare.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Exit mobile version