Agjencia Telegrafike Shqiptare

Matrikullimi i kafshëve, Denaj: Me rëndësi për sigurinë ushqimore dhe formalizimin e blegtorisë

TIRANË, 24 tetor /ATSH/ Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural ka në fokus forcimin e kontrollit dhe garantimin e sigurisë ushqimore në tregjet e vendit për sektorin blegtoral.

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Ministrja Anila Denaj informoi se Autoriteti Kombëtar i Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve vijon me matrikullimin dhe gjurmimin për shëndetin e kafshëve bujqësore.

Gjatë periudhës janar-shtator të këtij viti, janë kryer 348 000 matrikuj të rinj. Ndërsa janë matrikulluar 43 105 gjedhë; 303 700 të imta; 1 389 derra.

Denaj tha se, “matrikullimi i krerëve vijon në çdo fermë nga Autoriteti Kombëtar i Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve. Ky është një proces i rëndësishëm për shëndetin e kafshëve, sigurinë ushqimore dhe formalizimin e blegtorisë”.

Matrikullimi i kafshëve në fermë është detyrim ligjor për çdo mbarështues. Është një proces që kryhet falas dhe i jep mundësinë blegtorëve të përfitojnë shërbime falas nga Shërbimi Veterinar dhe subvencione nga shteti nëpërmjet Skemës Kombëtare të Mbështetjes.

Ministrja tha se identifikimi individual i kafshëve dhe regjistrimi i fermave në regjistrin blegtoral nga veterinerët e Autoritetit Kombëtar të Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve është hapi i parë i formalizimit të sektorit blegtoral, i cili siguron gjurmueshmërinë e shëndetit të kafshëve dhe produkteve me origjinë shtazore.

Në funksion të rritjes së shërbimit veterinar sipas standardeve më të mira, janë punësuar së fundmi edhe 400 veterinerë të rinj me shtrirje në të gjithë vendin, me qëllim forcimin e kontrollit në fermat blegtorale.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Exit mobile version